Rezultati i HSBC – Fitimi dështon të arrijë projeksionet, planifikon rritjen e kapitalit
Banka më e madhe në Europë, HSBC, raportoi një rritje në fitimin vjetor përpara taksave që dështoi të arrijë projeksionet dhe lajmëroi një plan për të rritur kapitalin me 7 miliardë dollarë, ndërkohë që pritet të largohet edhe kreu ekzekutiv, Stuart Gulliver.
HSBC ka ndërmarrë ristrukturime të mëdha nën drejtimin e tij, ku ka patur shkurtime të vendeve të punës, mbyllje të degëve dhe dalje nga disa tregje. Gulliver e lë detyrën këtë javë, pas 7 vitesh në krye të huadhënësit britanik dhe do të zëvendësohet nga veterani i kompanisë John Flint.
Banka raportoi një fitim përpara taksave në 17.2 miliardë dollarë për 2017-ën, krahasuar me 7.1 miliardë vitin e kaluar, megjithatë poshtë vlerësimeve të analistëve prej $19.7 miliardë.
Këto vlerësime nuk përfshijnë reduktimet në vlerë prej 1.3 miliardë dollarë në 2017-ën që u shkaktua nga reforma tatimore në SHBA. Huadhënësi bëri të ditur se po planifikon emetime shtesë të kapitalit bazë në 5-7 miliardë dollarë për gjysmën e parë të 2018-ës.
Aksionet e HSBC të listuara në Hong Kong ranë me 3.2% pas lajmërimit. Rritja e normave të interesit nxiti të ardhurat e bankës në njësinë retail me 9% gjatë 2017-ës.
Të ardhurat në njësinë e bankingut të investimeve u rritën me 3%, që është shifër relativisht pozitive duke marrë parasysh kushtet e dobëta të tregut dhe performancën e homologëve.
Raporti i kapitalit bazë kundër aktiveve të ponderuara me risk u rrit në 14.5% në 2017-ën, krahasuar me 13.6% vitin e kaluar dhe 11.9% në vitin 2015.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.