Rezultati i zgjedhjeve në tregje – Pritet me optimizëm, euro dhe aksionet e bankave rriten ndjeshëm

Rezultati i zgjedhjeve në Francë u prit pozitivisht në tregje, ndërkohë që kandidati i preferuar nga investitorët, Macron fitoi raundin e parë, duke reduktuar riskun e një eventi të ngjashëm me Brexit.
Investitorët presin tashmë që ish-bankieri 39 vjeçar të mposhtë lideren e Frontit Nacional, Marine Le Pen, në datën 7 Maj.
Ndikimi fillestar në tregje ishte te valuta europiane, që në hapje të sesionit tregtar aziatik, u rrit me gati 2% kundrejt të gjitha valutave kryesore. Euro kuotohej në 1.07 kundër dollarit amerikan, preku 1.0940 menjëherë pas votimit, duke u stabilizuar më vonë në 1.0860.
Valuta europiane arriti nivelin më të lartë që prej datës 10 Nëntor, kur u shpall fitorja e Donald Trump.
Optimizmi u reflektua edhe në indekset e titujt e kapitalit, që e nisën rritjen direkt në sesionin aziatik, duke vazhduar te ai europian. Të gjithë indekset aziatik, përveç Kinës, patën rritje, me indeksin e Japonisë që u ngjit me 1.5%.
Sesioni europian u hap në rritje gjigante. Thuajse të gjithë indekset kryesorë të titujve të kapitalit u hapën me rritje sipër 2%-shit, me indeksin e Francës, CAC 40 që tejkaloi homologët.
Sektori me performancën më të mirë ishte ai bankar. Huadhënësit francezë si Credit Agricole, Societe Generale dhe BNP Paribas u rritën me gati 10% në vlerë tregu.
Por marshimi i aksioneve nuk u kufizua vetëm në Francë. Aksionet e CommerzBank, Deutsche Bank, Uni Credit dhe Intesa Sanpaolo u rritën sipër 7%-shit.
Nga ana tjetër, aktivet e perceptuara si të mbrojtura nga risku si Ari, jeni japonez dhe titujt gjermanë të borxhit, patën rënie. Ari ra në nivelin më të ulët në 2 javë, duke prekur 1270 dollarë për onz, ndërsa jeni ra nga 109 për 1 dollar në 110.12.
Titujt gjermanë të borxhit janë shitur ndërkohë që investitorët iu drejtuan borxhit francez.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.