Rezultati i UBS – Manaxhuesi më i madh në botë i pasurisë, në performancë të mirë
Banka më e madhe private në botë, UBS, publikoi në sesionin e fundit tregtar të kësaj jave, një rritje të fitimit për tremujorin e tretë me 14%, megjithatë, mbajti një perspektivë të kujdesshme për pjesën tjetër të vitit për shkak të pasigurive monetare dhe politike.
Të ardhurat nga manaxhimi i pasurisë u rritën pas një ngadalësimi në vitin 2016, ku aktiviteti tregtar nga klientët e pasur të bankës zvicerane shënoi nivel rekord të ulët.
Megjithatë, UBS sheh ende rreziqe në aktivitetin e klientëve, prej stimujve të Bankës Qendrore Europiane si dhe tensioneve politike përfshirë marrëdhënien mes SHBA e Koresë së Veriut.
“Presim që rimëkëmbja ekonomike globale të vazhdojë, por tensionet gjeopolitike dhe pasiguria në nivel makroekonomik përbën ende rrezik nëpërmjet ndjesisë së klientëve”, deklaroi banka më e madhe në Zvicër.
Në total, fitimi neto i bankës rezultoi në 946 milionë franga për tremujorin e tretë, shifër poshtë vlerësimeve të analistëve por sipër udhëzimit të vetë bankës.
Raporti i kapitalit bazë kundër aktiveve të ponderuara me risk u rrit në 13.7% nga 13.5% që qëndronte në tremujorin e dytë. Aksionet e UBS u rritën me 1.5% në hapje të sesionit tregtar.
Fitimi nga njësia e manaxhimit të pasurisë u rrit me 9% në 700 milionë franga. Flukset hyrëse neto të parasë arritën në një total prej 4.6 milionë franga në biznesin ndërkombëtar të manaxhimit të pasurisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.