Hausmann: Shqipëria, mesazh shprese për Venezuelën

Eksperti ndërkombëtar i ekonomisë, Ricardo Hausmann ka analizuar në një intervistë për Financial Times mënyrën se si Venezuela arriti në gjendjen ku ndodhet sot.
Menaxhimi i burimeve të naftës, është sipas profesorit, arsyeja kryesore që solli kolapsin ekonomik të vendit. Kjo lidhet jo vetëm me rënien e çmimit në tregjet ndërkombëtare, por me politikat e gabuara që datojnë disa dekada më parë.
Sipas Hausmann, sot Venezuela duhet të prodhonte 6 milionë fuçi naftë në ditë, por nuk mundi të ndalte rënien e prodhimit, i cili sot është rreth 2 milionë fuçi. Shkak për këtë rënie u bë dëbimi i specialistëve që punonin në industri, të cilët jo vetëm u pushuan nga puna, por u persekutuan dhe u detyruan të lënë vendin.
Kjo mbështetet nga fakti se Kolumbia, menjëherë pas kësaj, pesëfishoi prodhimin nga 200 mijë fuçi në ditë, në 1 milion sot.
Eksperti venezuelian, i cili dikur ka mbajtur edhe poste në qeveri e vendit, fajëson Chavez për shkatërrimin e kompanive të shtetëzuara. Nëse kompania e çelikut prodhonte 4.5 milionë ton çelik me 5 mijë punëtorë, ajo sot ka 22 mijë punëtorë, por prodhon rreth 200 mijë ton.
“Ndoshta Chavez dinte më shumë se të tjerët. Ai e dinte ekzaktësisht se kur të vdiste, sepse ishte zhdukur nga skena në Dhjetor 2012. Ai u raportua i vdekur në Mars 2013, por nuk ishte parë që nga 8 Dhjetori”, shprehet Hausmann.
Më pas tregjet botërore të kapitalit filluan t’i mbyllnin dyert Venezuelës, e cila kishte marrë borxh shumë para. Për të kuptuar shkallën e madhësisë, ato morën borxh 56 miliardë dollarë nga Kina, ndërkohë që importet vjetore arrijnë në vetëm 16 miliardë dollarë.
Disa kompani vazhduan të prisnin për borxhet, por kur kuptuan që nuk do të paguheshin kurrë u larguan. Në mënyrë të tillë kishte linja ajrore me borxhe prej 4 miliardë dollarësh, të cilat ndaluan fluturimet.
Qeveria vendosë të tregohej korrekte me borxhet, por përsëri importet ranë me 80%. Kjo nënkuptonte se nuk kishte më materiale bazë, pjesë këmbimi, ndaj prodhimi pësoi kolaps.
Kjo vijoi me rënien deri në 37% të PBB dhe nëse në shifra nuk tregohet sa e rënduar ishte gjendja, ajo mund të shpjegohet me ushqimin që mund të blinin familjet me një pagë. Nëse në 2012 mund të blije 55 mijë kalori me pagën minimale, sot një familje mund të blejë vetëm 7 mijë kalori. Pra një familje mesatare nuk do të mund të merrte kaloritë e mjaftueshme edhe nëse shpenzonte 100% të buxhetit për ushqim.
Për Hausmann, dëmi ka qenë shumë i madh dhe ka detyruar largimin e talenteve dhe zhdukjen e bizneseve.
Megjithatë, për profesorin 61 vjeçar, ka një shpresë për Venezuelën dhe ai është shembulli i Shqipërisë.
“Unë jam një këshilltar për qeverinë e Shqipërisë dhe më pëlqen marrëdhënia në Shqipëri, pasi për 45 kishte Enver Hoxhën në pushtet, ishte si Korea e Veriut e Europës. Ata kaluan 45 vjet nën komunizëm dhe kur u shemb komunizmi, ekonomia u shemb edhe më tej. Një e treta e popullsisë u larguan. Por tani kanë kaluar 20 vite rimëkëmbje dhe tani më pëlqen Shqipëria.
Është një vend i këndshëm dhe për mua kur mendoj për Shqipërinë, mendoj se është një mesazh shpresëdhënës për venezuelianët. Ky mesazh thotë: Shiko, mund të kesh një periudhë të tmerrshme, por shoqëritë mund të rimëkëmben. Ato mund të ringrihen. Dhe është një besim që më pëlqen ta kem, pasi e bën jetën më të përballueshme”, thotë Hausmann.
Ricardo Hausmann është aktualisht drejtori i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar pranë shkollës së Harvardit. Ai ka mbajtur në vitin 1992-1993 postin e ministrit të Planifikimit. Ai ka prezantuar disa koncepte ekonomike si: mëkati fillestar, diagnozat e rritjes, vetë-shërimi, materia e zezë, hapësira e produktit dhe kompleksiteti ekonomik.
Për të lexuar artikullin e plotë, kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.