Rihapet gara për tunelin e Llogarasë – Fondi limit 18.96 miliard lekë, punimet do të zgjasin 37 muaj nga nënshkrimi i kontratës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rihapur garën për përzgjedhjen kompanisë që do të ndërtojë Tunelin e Llogarasë, përmes një koncesioni me afat 35-vjeçar. Sipas kritereve të vendosur, investitorët e interesuar do të mund të dorëzojnë dokumentet e tyre deri në datën 28 Korrik 2021, ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion është 18.96 mld lekë.
Referuar dokumenteve të tenderit afati i zbatimit të kontarës do të jetë 37 muaj, çka do të thotë se nëse marrim parasysh edhe procedurat e garës, lidhjes së kontratës apo pajisjen me lejet e nevojshme, kjo vepër nuk do të jetë gati në këto 4 vite. Kjo është përpjekja e radhës për të shpallur fituese një kompani, që plotëson kriteret e vendosur në tender.
Fillimisht, gara u hap në mesin e dhjetorit të vitit 2020, ndërsa ministria synonte që të përmbyllte garën në shkurt të këtij viti. Por, ajo nuk u finalizua me sukses, çka ka detyruar këtë institucion të rihapë procedurën konkurruese. Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta.
Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që sipas projektit ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe do e ketë daljen në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë. Më herët, qeveria ka deklaruar se nga zbatimi i këtij projekti pritet që impakti direkt në punësim të jetë 400 vetë, ndërsa ai indirekt shkon në 10 mijë persona.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.