Rikonstruksion rrugës Qafë Qelë – Koman! FSHZH hap tenderin për segmentin 29 km
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka hapur tenderin për projektimin dhe rikonstruksionin e rrugës Qafë Qelë – Koman. Fondi limit është 24 milionë e 853 mijë lekë dhe afati për ofertat është deri me 13 mars 2020.
Segmenti rrugor “Qafë Qele – Koman” fillon nga degëzimi në drejtim të Komanit i rrugës Shkodër-Pukë-Fushë Arrëz-Kukës dhe ndjek gjurmën ekzistuese, pothuajse në krah të liqenit ( lumit Drin ) deri në Koman. Ky segment ka një gjatësi afërsisht 29km dhe kalon në terren përgjithësisht kodrinor dhe malor.
“Segmenti rrugor Qafë Qele – Koman ka një gjerësi asfaltike afërsisht 6m me bankina në të dy anët e saj me gjerësi 0.5m. Rruga është në gjendje të degraduar ku në pjesë të caktuara të saj ka cedime, gropa në asfalt , mungesë mbrojtësesh metalike anësore, probleme me rënie dherash nga skarpatet e siperme etj.
Përveç përdoruesve të përhershëm banorët e fshatrave , Gomsiqe , Karmë , Koman , punonjësve të H/c të Komanit, banoreve të Shllakut që lidhen nga liqeni i Vau Dejes , kjo rrugë përdoret dhe nga turistë .Në vitet e fundit, rruga po përdoret shumë nga turistët vëndas e të huaj që kërkojnë të shkojne me traget nga Komani per në Tropojë , Valbonë” shkruhet në dokumentin e tenderit.
Objektivi kryesor i projektit: “Rikonstruksioni i rrugës Qafë Qele – Koman” është përmiresimi i aksesit drejt potencialeve turistike të rajonit te Alpeve, me qëllim përmirësimin e eksperiencës turistike, cilësisë së jetës për komunitetet si dhe mundësi për zhvillimin ekonomik të qendrueshem të zonës. Projekti i rikonstruksionit do të synojë të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e lëvizjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.