Rikonstruksioni i kopshtit Nr.17, Veliaj: Kopshtet me standarde, në 1 shtator çelen regjistrimet
Shtatori do t’i gjejë më të vegjlit e Njësisë 7 me kopsht të ri e me kushte bashkëkohore. Pas dy vitesh pezullim, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar plotësisht godinën e Kopshtit Nr.17, i cili do të mirëpresë 120 fëmijë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve, ku për herë të parë u zbatua edhe projekti pilot me të rinjtë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar, të cilët kanë kontribuar në realizimin e mobileve të kopshtit.
Veliaj tha se ky projekt pilot do të shtrihet edhe në institucionet e tjera, si çerdhe dhe kopshte, ku ata që vuajnë dënimin, të realizojnë të mira për komunitetin.
“Më vjen mirë që sot jemi bërë kaq shumë për të lënë një gjurmë në rritjen e 120 fëmijëve në Njësinë 7, me një kopsht totalisht të ri, për të cilin nuk do të mjaftonte as një libër për të treguar të gjitha peripecitë, derisa kemi mbërritur këtu. Shumë njerëz shohin gjëra të bukura dhe s’e kuptojnë që vetëm me shpronësime, kontrata, gjyqe, apelime, sa mund duhet për të mbërritur në këtë produkt. Megjithatë, rëndësi ka fundi dhe çdo peripeci ia ka vlejtur kur produkti është kaq i bukur”, theksoi Veliaj.
Veliaj u bëri thirrje edhe investitorëve të tjerë që të kontribuojnë për gjeneratën e ardhshme të qytetit. Ai deklaroi se për të dytin vit radhazi, Bashkia ka marrë të gjitha masat që kopshtet dhe çerdhet të jenë të hapura gjatë muajit gusht për të pritur fëmijët. Kryebashkiaku u shpreh se pas kopshteve do të jenë shkollat ato në të cilat do të ndërhyhet.
“Kopshtet tona janë të hapura gjatë gjithë gushtit. Ky është viti i dytë që e respektojmë si rregull. Jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë pushime në gusht, madje disa prej prindërve u duhet të punojnë, kjo është arsyeja pse do i mbajmë kopshtet hapur”, u shpreh ai.
Nga data 1 shtator, pranë kopshteve të Tiranës do të nisin regjistrimet e reja të fëmijëve.
Veliaj bëri të ditur se gjatë këtij procesi do të merren parasysh dhe nevojat ekonomike të familjeve, ndërsa siguroi për rritje të mëtejshme të standardeve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.