Rikonstruksioni i rrugës “Zall Bastar” – Hapet tenderi për lotin e dytë, ndërhyrjet që do të kryhen
Është hapur tenderi për lotin e dytë për rikonstruksionin e rrugës “Zall-Bastar”. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion një fond limit që kap vlerën e 74.8 milionë lekësh, ku operatorët ekonomikë do të kenë mundësi që të dorëzojnë ofertat e tyre brenda datës 8 prill 2019.
Nga detajet e investimit, rruga që parashikohet të ndërtohet përfshin një segment prej 5.25 km nga ura e Zall Dajtit deri në fshatin Zall Bastar. Loti i parë kishte një gjatësi prej 2.6 km, ndërsa pjesa e mbetur do të ndërtohet me fondin e lëvruar për Lotin e dytë.
Rruga fillon në fshatin Zall Bastard he përfundon në krahun verior të urës së Zall Dajtit me atë të së cilës do të bëhet i mundur aksesin në Rrugën e Arbrit e cila ka daljen për në qytetin e Tiranës.
Rehabilitimi përfshin ndërhyrje thelbësore në trasenë rrugore duke zëvendësuar shtresat ekzistuese dhe duke realizuar shtrimin me asfalt. Ndërkohë, po ashtu është parashikuar të kryhet edhe një përmirësim i kufizuar i trasesë në disa segmente, duke përmirësuar rrezen e kthesave dhe duke ulur numrin e tyre.
Rindërtimi i tombinave për ujërat e shiut si dhe zëvendësimi i mureve mbajtëse ekzistuese janë po ashtu dy ndërhyrje të tjera që do të kryhen në këtë segment rrugor, gjendja aktuale e të cilit paraqitet e amortizuar.
Sa i takon kohëzgjatjes së kontratës, është parashikuar një periudhë kohore prej 45 javësh kalendarike nga dita e nënshkrimit të saj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.