Rikonstruksioni i shkollave – Përfundon “Dëshmorët e Lirisë”. Veliaj: Do ndërtojmë edhe 3 shkolla të reja
Viti i ri shkollor që nis më 17 shtator do ta gjejë shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në Njësinë 5, tërësisht të rinovuar.
Bashkia e Tiranës është në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e saj. Gjatë inspektimit, kreu i bashkisë Erion Veliaj siguroi se shkolla do të jetë gati për të pritur fëmijët në datë 17.
“Kemi premtuar se çdo shkollë ku po punojmë do të jetë gati, ndaj skuadrat po punojnë deri në 17 shtator. Jemi në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, ku ka ende pak punë për të mbyllur terrenin sportiv, ndërkohë që ka mbaruar auditori, kanë mbaruar punimet e brendshme, banjot e reja, veshja me kapotë, të gjitha klasat, plus klasa parashkollore, e cila do të jetë e pranishme në shumicën e shkollave të Tiranës, si një klasë më vete që parapërgatit fëmijët që do të nisin klasën e parë”, u shpreh Veliaj.
Ai u shpreh se krahas investimeve që po kryhen këtë vit, Njësia 5 do të përfitojë edhe nga ndërtimi i 3 shkollave të reja.
Po bëjmë dy veprime: së pari, rregullim total të të gjitha shkollave ekzistuese dhe më pas do të ndërtojmë 3 shkolla të reja. E para do të jetë tek Parku Olimpik, për të shfryrë një pjesë të mirë që vjen nga zona e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik dhe Liqenit të Thatë. Pra, lirojmë shkollat “At Zef Pllumbi”, “Dëshmorët e Lirisë”, “Petro Nini Luarasi”, që secili të ketë një shkollë brenda një rreze ku edhe fëmijët mund të ecin, pra 500-1000 metra, çka do e bënte shumë më normal procesin mësimor”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje drejtorëve të shkollave të Tiranës që të respektojnë kuotat dhe të mos bëjnë regjistrime të nxënësve që vijnë nga zona të tjera.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.