Rikonstruksioni i shkollës “Dora d’Istria”, shtohen 11 klasa dhe sistemi i ngrohjes
Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dora d’Istria”, ku do të shtohen 11 klasa të reja dhe e gjithë godina do të pajiset me sistem ngrohje
Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se në përfundim të këtij investimi nxënësit e shkollës do të kenë jo vetëm mjedise më të mira dhe më të ngrohta, por do kenë mundësi që mësimin ta zhvillojnë vetëm në një turn.
“Më vjen mirë që tek ish shkolla ime, që dikur mbante emrin “20 Dhjetori”, sot “Dora d’Istria”, po bëjmë jo vetëm një rikonstruksion total të godinës, por po shtojmë edhe 11 klasa të reja, për të futur konceptin parashkollor dhe për t’i dhënë fund mësimit me dy turne”.
Projekti i rikonstruksionit që ka nisur të zbatohet në këtë shkollë parashikon që në anën jugore të oborrit ngjitur me godinën ekzistuese të ndërtohet një shtesë 3 katëshe për 11 klasa mësimi dhe vendosja e dhomës teknike në katin përdhe.
Klasat do të jenë të vendosura në dy krahët e korridorit si një vazhdim i atij ekzistues. Gjithashtu, shkolla do të ketë një sistem qendror ngrohje dhe për këtë qëllim po bëhen instalimet për të rritur dhe përmirësuar mirëfunksionimin e të gjitha ambienteve për nxënësit dhe mësuesit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.