Rikonstruksioni Traumës – 8 mld lekë investime për repartet dhe shërbimet

Rikonstruksioni në tërësi i Spitalit të Traumës do të kushtojë rreth 8 miliardë lekë. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte në spitalin e Traumës, për të parë ecurinë e projektit.
Ministri i Shëndetësisë është shprehur se veç rikonstruksionit të shërbimeve janë janë gati edhe pajisjet biomedikale dhe të mobilimit.
“Të gjitha pajisjet janë të reja dhe jemi dhe në fazën e fillimit të instalimit të pajisjeve biomedikale. Këtu janë duke u investuar në këto moment më shumë se 8 miliardë lekë dhe në ditët e para të majit gjithçka do të jetë funksionale”, tha Beqaj
Ky investim transformon tërësisht shërbimin e fizioterapisë, jo vetëm në ambiente, por edhe në shërbimin e ofruar, sipas Kryeministrit Rama.
“Një nga simbolet e rrënimit të shëndetësisë, spitali që u bë sallatë 20 e ca vjet dhe ky transformim hap një kapitull komplet të ri, faktikisht rilind spitalin e traumës, duke krijuar kushte komplet të tjera dhe duke dhënë një shembull shumë kuptimplotë të rezultateve të reformës, edhe përsa i përket financimit.
Do ketë edhe një vlerë të madhe për të motivuar ekipin mjekësor, infermierët, reanimatorët, fizioterapistët, që deri dje ishin komplet në mëshirë të fatit. Tani që vihet e gjithë infrastruktura dhe logjistika e re, me të gjithë aparaturat e reja, është komplet botë tjetër”, u shpreh Kryeministri Rama.
Pas dy muajsh pritet që të përfundoj projekti i rikonstruksionit të Spitalit të Traumës, duke mundësuar kushte më të mira pune për mjekët por edhe shërbim më cilësor për pacientët.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.