Rikonstruktohet “Dora D’Istria” – Veliaj: Hiqet mësimi me dy turne, ulet mbipopullimi në klasa
Nëpër klasat e shkollave 9-vjeçare në një pjesë të mirë të zonave të kryeqytetit nuk do të ketë më mbipopullim dhe mësim me dy turne. Bashkia e Tiranës po investon në rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave të reja, për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Përveç shkollës “Kosova” e cila u rindërtua nga e para, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin dhe zgjerimin e shkollës “Dora D’Istria”, me 12 klasa të reja dhe mjedise tërësisht të rinovuara, e cila është gati për të pritur nxënësit në Shtator.
“Në kohën time shkolla ka qenë me turne, pra i bie në mesin e viteve ‘90. Më vjen mirë që, pas 20 e ca vitesh, shkolla shpëton nga mësimi me dy turne dhe fjala dy turne nuk do jetë më në fjalorin e ish-shkollës “20 Vjetori”, sot “Dora d’Istria”. Kemi shtuar 12 klasa, pra është shtuar një krah i plotë i shkollës, është rikuperuar një pjesë e degraduar për aktivitete terreni sportive, është riparuar palestra, kemi futur sistemin e ngrohjes me një dhomë teknike dhe pajisjet për sigurinë e nevojshme”, u shpreh kreu i bashkisë.
Ai theksoi se me investimet e bëra është reduktuar mbipopullimi në klasa dhe kërkoi nga prindërit që ti çojnë fëmijët në shkollën më të afërt.
“Kjo është një shkollë kryesisht për Njësinë 10 dhe nxënësit e kësaj njësie. Në secilën prej njësive, po bëhen shkollat e reja. Duke qenë se edhe portali po çon mësuesit më të mirë në shkollat e reja, dua të inkurajoj të gjithë prindërit ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Shkollat nuk kanë të njëjtin reputacion si në vitet ‘70, si në vitet ‘80-’90; pra, nuk jetojmë dot me legjenda urbane. Një shkollë e mirë është si fillim një shkollë afër shtëpisë. Dëshira për t’i çuar në cepa të ndryshëm të qytetit, për një shkollë më të mirë publike, është e pajustifikuar me fakte. Sot, faktet po flasin se shkollat që po marrin dhjeta, që po fitojnë olimpiada, që po fitojnë konkurse të ndryshme, janë në fakt shkollat ku shumica e nxënësve vjen nga ajo rrethinë dhe shkollat ku numri i klasave është i arsyeshëm, sipas rekomandimit të Ministrisë së Arsimit”, deklaroi Veliaj.
Në shkollën “Dora D’Istria”, përveç këtyre ndërhyrjeve të brendshme, është bërë sistemimi i jashtëm i shkollës, është rregulluar fasada, janë rregulluar sistemet e hyrjes së jashtme, janë shtuar edhe terrenet sportive.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.