Rikonstruktohet shkolla “E kuqe” – Veliaj: 3 mln $ nga gjobat do të investohen për dy shkolla të reja
Rreth 3 milion dollarë është shuma e mbledhur nga gjobat gjatë aksionit të fundit të bashkisë së Tiranës në pikat e karburanteve, para të cilat sipas kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do shkojnë për ndërtimin e dy shkollave të reja. Kryebashkiaku bëri të ditur këtë gjatë inaugurimit të shkollës “së Kuqe” pas rikonstruksionit të plotë të saj.
“Kështu, Shkolla e Kuqe kalon me një turn, bie pak trysnia, ndërkaq te ‘Hoxha Tahsin’ po punojmë për një shkollë fantastike të re, sigurisht me një standard më të lartë duke qenë se është ndërtuar nga e para, e cila do të çlirojë fluksin që vjen nga komuniteti”, tha Veliaj gjatë përurimit të shkollës.
Shkolla “E Kuqe” tashmë është gati të hap dyert e saj për rreth 1000 nxënës të njësisë numër 8, të cilët do të mësojnë në kushte më komode. Veliaj theksoi se ndërtimi i shkollave të reja do të ndihmojë në eliminimin e mësimit me dy turne.
“Lajmi i mirë është se pavarësisht se nuk e patëm dakordësinë e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, morëm mjaftueshëm vota njerëzish seriozë për të kaluar projektin tonë të 16 shkollave të reja, ndaj bashkë me Drejtorinë Arsimore, teksa bëjmë punë infrastrukture, do ju duhet që edhe ju të përgatisni 16 skuadra të reja të cilat do marrin përsipër drejtimin e shkollave. Madje, do ishte mirë të fillojmë që tani me marketingun e shkollave të reja, për të shpjeguar vendndodhjen, lagjen që do përfshijë, për ta mbyllur me sukses jo vetëm mandatin tim, por për të mirën e gjithë Tiranës të heqim nga fjalori mësimin me dy turne”, theksoi Veliaj.
Kreu i bashkisë bëri edhe një paralajmërim për drejtuesit e shkollave, se do të përballen me sanksione nëse do të lejojnë tejmbushjen me nxënës të shkollave, duke kaluar kapacitetet e tyre.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.