Rikonstruktohet shkolla “Siri Kodra” – Veliaj: Gati në shtator me kushte moderne për 600 nxënës
Bashkia e Tiranës po vijon rikonstruksionin e shkollës “Siri Kodra”, duke rehabilituar të gjitha institucionet arsimore në territorin Njësinë Administrative Nr.8.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj inspektoi punimet në këtë shkollë, prej nga siguroi se gjithçka do të jetë gati në shtator, për të mirëpritur 600 nxënësit që mësojnë këtu. Veliaj shtoi se në shtator do mbyllen punimet në të gjitha institucionet arsimore.
“Jam shumë i kënaqur që të paktën në një njësi të Tiranës po mbyllim rikonstruksionin e të gjitha institucioneve arsimore. Kemi qenë në çdo çerdhe, në çdo kopsht, në çdo shkollë, po mbarojmë punë te “Siri Kodra”, që viti shkollor të na gjejë gati. Gjithashtu, edhe Shkolla e Kuqe është në përfundim e sipër, ndaj mund të themi me gojën plot se ka filluar kompletimi, një nga një, i njësive të Tiranës me të gjitha institucionet arsimore. Do të punojmë gjatë gjithë muajit gusht, pa ndërprerje, edhe ditët e para të shtatorit, për t’u siguruar që të mbyllim të gjitha kantieret e hapura në Tiranë”, tha Veliaj.
Projekti për shkollën “Siri Kodra” sipas kreut të bashkisë merr parasysh edhe ndryshimet klimaterike në kryeqytet, duke siguruar ngrohje në gjithë ambientet e shkollës përmes instalimit të kaldajës.
“Po punojmë tani për kaldajat, që kur të vijnë ngricat, si ato që patëm dimrin e kaluar, më pak shkolla të ndjejnë problematikën e të ftohtit. Pothuajse në të gjitha shkollat e Tiranës investimi kryesor ka qenë kaldaja, e cila të na funksionojë në dimër dhe të mos kemi problematika”, tha Veliaj.
Rikonstruksioni total i shkollës 9-vjeçare “Siri Kodra”, parashikon sistemimin e të gjitha linjave elektrike, hidraulike, nyjeve higjieno-sanitare, si dhe rehabilitimin e palestrës. Gjithashtu, do të bëhet dhe sistemimi i ambienteve të jashtme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.