Rikthehet Berlusconi – Kavalieri prezanton programin e Forza Italia

Silvio Berlusconi është rikthyer. Ish-kryeministri ka prezantuar ditën e shtunë programin e partisë së tij Forza Italia.
Kavalieri është shprehur se ka besim tek Gjykata e Strasburgut për të lejuar kandidimin e tij, por nëse diçka e tillë nuk ndodh, Berlusconi tha se do të jetë gjithsesi në fushë për të bërë fushatën elektorale.
“Jam në fushë për sensin e përgjegjësisë ndaj vendit tim, të cilin vazhdoj ta dua, për respekt të italianëve që ndër vite më kanë dhënë 200 milionë vota. Mund të mbështeteni tek unë, unë do të jem”, tha Silvio Berlusconi.
Berlusconi është shprehur optimist për zgjedhjet dhe ka thënë se do të kthejë elektoratin në favorin e tij, siç bëri në vitin 2013.
Në programim e partisë së tij parashikohet të eliminohen taksat për shtëpinë e parë, trashëgiminë dhe makinën e parë. Forza Italia kërkon të vendosë një taksë të sheshtë 22-24% për të gjithë, si dhe një pension minimal prej 1 mijë eurosh.
Duket se Berlusconi do ta fokusojë fushatën e tij tek moshat e mëdha, pasi ndër të tjera ai ka premtuar në ditë të veçanta vizita dhe trajtime falas, si dhe udhëtime në tren pa pagesë.
“E ardhmja është tek eksperienca, tek kapaciteti dhe tek sensi i detyrës. Ne do të kandidojmë për së paku 1/3 me sipërmarrës, pedagogë, profesionistë dhe menaxherë të cilët kanë vërtetuar se çfarë dinë të bëjnë”, tha Berlusconi.
Tema e fushatës së Berlusconit duket të jetë kështu shumë populiste, me premtime që prekin njëkohësisht emigrantët të cilët janë të detyruar të vjedhin nga varfëria, italianët të cilët vidhen, kristianët, hebrenjtë, e deri tek trajtimi i qenve dhe maceve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.