Rikthehet besimi – BSH: Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit në tremujorin I
Ndërkohë që projeksionet për ecurinë e ekonomisë këtë vit janë përkeqësuar, besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në mënyrë të papritur është përmirësuar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 4.6 pikë në tremujorin e parë të këtij viti. Rritja vjen pas tre tremujorësh radhazi në rënie dhe në një moment kur pritshmëritë ishin më të ulëta. Vitin e kaluar Shqipëria realizoi rritjen ekonomike më të lartë në dekadën e fundit, por, megjithatë ndjesia ekonomike pësoi rënie për pjesën më të madhe të vitit. Kjo tregon se perceptimi i bizneseve dhe konsumatorëve për ecurinë e ekonomisë shqiptare nuk ecën domosdoshmërisht në linjë me atë që tregojnë indikatorë makroekonomikë.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 8 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, duke u zhvendosur mbi mesataren historike të tij. Kjo erdhi nga rritja e aktivitetit ndërtues me 9.3 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 6.7 pikë përqindje. Edhe balancat e tjera të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në të ardhmen, shënuan rritje.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi një rritje të lehtë me 0.3 pikë përqindje në tremujorin e parë, duke ndërprerë dinamikën rënëse të ndjekur prej një viti. Kthesa erdhi falë përmirësimit të kërkesës, me 1 pikë përqindje.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ndërpreu prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm, duke u rritur me 4 pikë përqindje gjatë tremujorit në analizë. Në përmirësim ndikuan ecuria e biznesit dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm.
I vetmi sektor ekonomik që shfaqi rënie të besimit ishte industria, me 0.7 pikë përqindje, por duke ngelur sërish ndjeshëm sipër mesatares afatgjatë.
Treguesi i besimit konsumator u rrit me 3.2 pikë përqindje në tremujorin e parë, duke qëndruar mbi mesataren historike të tij për të dytin tremujor radhazi. Konsumatorët shqiptarë rritën blerjet në shuma të mëdha, ndërsa dhanë përgjigje më pozitive lidhur me pritshmëritë për bilancet e tyre familjare, si edhe për situatën e përgjithshme ekonomike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.