Rikthehet kërkesa për pagat – Biznesi: Zero taksa deri në 40 mijë lekë
Bizneset vendase dhe të huaja kanë listuar një sërë kërkesash përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, me qëllim që të merren në konsideratë në paketën fiskale për vitin e ardhshëm.
Duke mbështetur iniciativën e ndërmarrë nga Komisioni, sipërmarrja ka rikthyer sërish vëmendjen tek pagat e ulëta, duke kërkuar që të rritet pragu i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, me qëllim shmangien e evazionit fiskal.
Shoqatat të ndryshme biznesi kanë bërë edhe një sërë kërkesash, që nga ulja e akcizës për disa produkte, rishikimi i taksës së infrastrukturës, i taksës prej 3 për qind për ndërtuesit, rishikim i ligjit për tatimin mbi të ardhurat, heqje e TVSH-së për shërbimin veterinar, zero tatim mbi dividentin, si dhe është kërkuar rimbursimi nga shteti i kategorive në nevojë që udhëtojnë në transport publik.
Në përgjigje të kërkesave të bizneseve, kryetari i Komisionit Erion Braçe ka theksuar se i ka kërkuar Ministrisë së Financave që në fillim të vitit të ardhshëm të sjellë në Kuvend ligjin e ri për të tatimin mbi të ardhurat si dhe po diskutohen lehtësitë sa i përket TVSH-së.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.