Rikthehet optimizmi për Europën. Aktiviteti i biznesit rezulton pozitiv në Korrik, prej zbutjes së karantinës
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë na nisur rritjen në Korrik, ndërkohë që më shumë pjesë të ekonomisë janë rihapur dhe konsumatorët kanë nisur shpenzimet. Mbi 15 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar me koronavirus, por ndërkohë që norma e infeksionit është zbutur në pjesën më të madhe të Europës, qeveritë kanë lehtësuar masat e karantinës. Kërkesa e “mbledhur” gjatë karantinës rriti indeksin PMI, që shihet si një tregues i mirë i shëndetit ekonomik, në 54.8 pikë në Korrik, nga 48.5 që ishte në Qershor.
Analistët thonë se kompanitë në të gjithë Eurozonën kanë raportuar një nisje inkurajuese për tremujorin e tretë, ndërkohë që prodhimi është rritur me normën më të shpejtë në 2 vite gjatë Korrikut, ndërkohë që masat e karantinës vazhduan të lehtësohen. Indeksi sipër 50 pikëve tregon për rritjen ekonomike dhe do të mirëpritet nga politikëbërësit dhe qeveritë, që kanë injektuar triliona euro në ekonomitë e tyre. Liderët europianë arritën në dakordësi për një fond të rimëkëmbjes nga koronavirusi prej 750 miliardë euro këtë Javë. Një tjetër faktor për optimizëm janë politikat stimuluese monetare të Bankës Qendrore Europiane. Ndërkohë që është rritur kërkesa, firmat kanë reduktuar normën e pushimeve nga puna dhe optimizmi ka qenë në nivelin më të lartë që prej Shkurtit, përpara se Europa të ndiejte goditjen e plotë të pandemisë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.