Rikthimi i vëmendjes tek rrugët! Shqipëria, mes nevojës për të përfunduar projektet e lëna në mes dhe rritjes së shpenzimeve për mirëmbajtjen!
Shqipëria në dekadën e fundit ka ndërmarrë dy investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, si Rruga e Kombit dhe ajo Tiranë – Elbasan me një faturë mbi 1.4 miliardë euro. Por, këto rrugë ende janë të papërfunduara dhe vendi ynë ka nevoja të mëdha për investime të mëdha. Aktualisht rrugët për të cilat janë hapur punimet kapin një faturë prej 102 miliardë lekësh dhe deri më tani janë financuar vetëm 32 miliardë lekë ose 30% e totalit të shumës. Siç është paralajmëruar, burimi më i madh i financimit të projekteve do të jetë paketa 1 miliard euro, që do të funksionojë fillimisht për Rrugën e Arbrit. Qeveria ka programuar financimin e këtij segmenti me vlerë 33 miliardë lekë dhe po në këtë mënyrë do të financohen edhe disa akse, si boshti i qendrës me akset Milot-Balldren, Thumanë-Kashar-Vorë, Kashar-Rrogozhinë dhe akset e Jugut Kardhiq-Delvinë, Orikum-Himarë, Korçë-Ersekë dhe Zgjerimi Tiranë-Durrës.
Premtimet e qeverisë
Pritet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të shpallë garën për aksin Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i këtij aksi favorizon qytetin e Sarandës, duke shkurtuar distancën në 1 orë, projekt i cili përfshin edhe ndërtimin e një tuneli. Po me buxhetin e shtetit është parashikuar edhe bypass-i i Tepelenës nga Levani në Kakavijë. Ndërsa projektet dhe akset rrugore të financuara me PPP sipas ministrit Damian Gjiknuri, një ndër këto projekte përfshin edhe Rrugën e Arbrit, kontrata e së cilës tashmë ka hyrë në fuqi dhe kompania ka sjellë projektin e miratuar. Financimi është siguruar nga kontraktori dhe pritet hapja e kantierit të kësaj rruge. Thumanë-Kashar është një tjetër projekt për të cilin kanë nisur sot edhe procedurat për dhënien me koncesion PPP. Qeveria ka premtuar se brenda vitit 2018 do të bëhet ndërtimi i aksit Milot-Balldren, i cili parashikon edhe një bypass në qytetin e Lezhës. Ndërkohë që është në proces tenderimi i bypass-it i Fierit dhe Vlorës dhe brenda verës pritet lidhja e kontratave. Sipas ministrit Gjiknuri, verës tjetër bypass-in e Fierit do ta kemi funksional dhe brenda vitit do të përfundojë ai në Vlorë. Lidhur me segmentin e Rrogozhinës, Gjiknuri është shprehur në konferencat për mediat se ka një projekt konkret dhe do të shërbejë si një rrugë alternative për të shmangur Durrësin, duke afruar kështu Vlorën e Fierin me Tiranën. Po ashtu brenda 2018-ës pritet edhe përfundimi i aksit Tiranë-Elbasan.
Përfundimi i Rrugës së Arbrit, një prej rrugëve më të rëndësishme në vend kërkon 33 miliardë lekë, ose 242 milionë euro investim, teksa pjesa më e madhe prej gati 200 milionë eurosh do të financohet nëpërmjet një koncesioni. Por, sipas projektbuxhetit 2018, gati 90% e financimeve të rrugës, një shumë 29 miliardë lekë ose 230 milionë euro do të paguhen pas vitit 2021. Pra, qeveria e ardhshme do të duhet të mbajë barrën fiskale të trashëguar, pavarësisht se kush mund të jetë.
Rruga e Kombit, nis epoka e rrugëve me pagesë
Së shpejti, pritet të nisë aplikimi i taksimit për të kaluar në Rrugën e Kombit. Shuma që duhet të paguajnë qytetarët varionte nga 2.5 euro për motorët e deri te 22 euro për kamionët e rëndë, ndërsa për autoveturat kjo tarifë shkonte deri në 5 euro. Pas protestave, Kryeministri Edi Rama premtoi rishikim të tarifës për përdoruesit e shpeshtë, por jo heqjen dorë prej saj. Rruga e Kombit kërkon edhe 200 milionë euro për përfundimin e saj ndërkohë që qeveria duket se gjeti zgjidhjen për të investuar në mirëmbajtjen e saj përmes partneritetit publik-privat kompania fituese do të kryejnë investimin me fondet e veta dhe më pas do të rimarrë investimin nëpërmjet taksave që do të vihen rrugës.
Ekspertët kanë ngritur alarmin për rrezikshmërinë që paraqesin rrugët, sidomos ajo Tiranë –Durrës dhe Lushnjë-Fier. Këto rrugë janë cilësuar nga ekspertët si të rrezikshme për shkak të mospërfundimit apo mungesës së investimit për mirëmbajtje. Sipas tyre, duhet ndërhyrje duke investuar e më pas ruajtje me interval të rregullt për rrugët, në të kundërt dëmi do jetë jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit, pasi do të duhen shuma të konsiderueshme për kthimin e tyre në kushtet optimale e për të rritur sigurinë. 15 mijë kilometra rrugë ka rrjeti kombëtar, sipas studimit të Bankës Botërore, mirëmbajtja e 3900 km rrugë nacionale kërkon për 5 vite, 320 milionë euro. Eksperti Artur Sulçe shprehet se rrugët janë të palidhura dhe ka zgjidhje infrastrukturore jo të rregullta.
“Shembull është rruga Lushnje –Fier . Mbikalimet janë vendosur gabim, gjë e cila çon në ndodhjen e aksidenteve. Asnjë segment nuk ka përfunduar edhe pse kanë nisur. 3 herë u nis bypass-i i Fierit dhe ende nuk po përfundon. Tiranë- Shkodër, rrugë interurbane dytësore ka ndërprerje pa fund nuk mund të ecësh me atë shpejtësi që të lejon 80 km në orë. Ndërprerjet nuk janë në përputhje me normat e caktuara nga qeveria shqiptare, nuk janë në parametrat e duhura ndaj ndodhin herë pas here dhe aksidente. Aty mungon edhe ndriçimi,” shprehet ai. Sipas tij, për rrugët interurbane kryesore nevojitet mbyllja plotësisht dhe vendosja e hyrje-daljeve të jetë e kufizuar dhe brenda standardeve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 në Shqipëri u regjistruan 1978 aksidente rrugore.
Nertila Doko/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.