Rikualifikimi urban i Pukës – FSHZH hap tenderin për fazën e dytë. Detajet e investimit
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur tenderin për fazën e dytë të projektit për Rikualifikimin Urban të Pukës, i cili është pjesë e programit që parashikon zhvillimin e Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare.
Sipas FSHZH-së, i cili është edhe zbatuesi i projektit, ky i fundit parashikon një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve lidhëse të spitalit Pukë, ndërhyrje në fasadat e dy objekteve pranë sheshit të Bashkisë, punime për mbrojtjen e liqenit si dhe ndërhyrje të tjera plotësuese.
Po ashtu, investimi përfshin edhe ndërtimin e sistemit të ujërave të zeza dhe të bardha, vendosjen e shtresave asfaltike si dhe sinjalistikën rrugore. Ndërkohë, pjesë e sistemimit të rrugëve lidhëze do të jetë edhe ndriçimi, gjelbërimi si dhe sistemimi i vendparkimeve.
Aktualisht sipas FSHZH-së janë bërë disa vizita në terren për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme. Krahas ndërhyrjeve të përmendura më sipër, projektuesit duhet projektojnë njëkohësisht edhe infrastrukturën nëntokësore në mënyrë që të përballojë edhe zhvillimin e qytetit për 50 vitet e ardhshme, në mënyrë që të shmangen ndërhyrjet e herëpashershme.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.