Rikualifikimi urban i zonës turistike Golem – FSHZH publikon detajet e projektit nga Plepat në Qerret
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se zona bregdetare nga Plepat në Golem e deri në Qerret është një zonë tepër tërheqëse në drejtim të turizmit dhe shumë e frekuentuar nga vizitorë vendas dhe të huaj sidomos gjatë periudhës së verës ndaj përgjatë dy dekadave të fundit kjo zonë është urbanizuar dhe vazhdon këtë proces në mënyrë intensive.
Sipas informacionit të publikuar gjatë fazës së urbanizimit vëmendja kryesore ka qenë e përqendruar në ndërtimin e objekteve rezidenciale, duke mos u kushtuar rëndësinë e duhur rrjeteve infrastrukturore inxhinierike dhe sidomos drenazhimit dhe në vijim kjo ka sjellë probleme në kullimin e ujërave sipërfaqësore në zonë po megjithatë potenciali i zhvillimit të turizmit i kësaj zone bregdetare mbetet shumë i lartë.
FSHZH bën me dije se përmes kësaj ndërhyrjeje në proces zbatimi synohet përmirësimi i aksesit drejt potencialeve turistike të zonës, me qëllim; zhvillimin e turizmit, rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritjen e mundësive për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike, përmirësimin dhe sigurinë e lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike, si dhe përmirësimin dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve të transportit nga zona turistike në drejtim të Kavajës, të Durrësit dhe të Tiranës.
Në njoftim thuhet se projekti përfshin zonën e cila kufizohet në Veri: me kufirin ndarës të Njësisë Administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, pranë Shkëmbit të Kavajës.
- Në Lindje: me superstradën Durrës-Rrogozhinë;
- Në Perëndim: me vijën bregdetare;
- Në Jug: me Përroin e Lishatit, Qerret, Nj. Administrimi Golem, bashkia Kavajë.
“Pjesë e këtij projekti konsiderohet edhe segmenti i rrugës dytësore Rrethrrotullimi Plepa – Rrethrrotullimi Mali i Robit i emërtuar më poshtë si segmenti 0-1-2, si dhe segmenti i rrugës dytësore Rrethrrotullimi Plepa–Nënkalimi Golem i emërtuar më poshtë si segmenti 0-4-3,” shkruhet në njoftim.
Sipas informacionit theksohet industria e turizmit bazuar në potencialet e mëdha që vendi ynë ofron nga veriu në jug është në rritje të vazhdueshme duke sjellë dhe domosdoshmërinë në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe sistemimit të hapësirave publike urbane, për të menaxhuar fluksin sidomos gjatë sezoneve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.