Rikualifikohet zona turistike e Golemit- FSHZH hap tenderin 835 milionë lekë. Detajet e projektit
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për rikualifikimin urban të zonës turistike Golem. Fondi limit është 835 milionë e 659 mijë lekë dhe ofertat mund të dorëzohen deri me 06 nëntor 2020.
Zona bregdetare nga Plepat në Golem e deri në Qerret është një zonë tepër tërheqëse përsa i përket turizmit. Ajo është shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj sidomos gjatë periudhës së verës.
Para viteve ’90 zona në fjalë ka qenë e pyllëzuar dhe e shumë pak e prekur nga ndërtimet. Më pas, sidomos gjatë dy dekadave të fundit kjo zonë është urbanizuar dhe vazhdon të urbanizohet në mënyrë intensive.
Gjatë fazës së urbanizimit vëmendja kryesore ka qenë përqendruar në ndërtimin e objekteve rezidenciale, duke mos u kushtuar vëmendjen e duhur rrjeteve infrastrukturore inxhinierike dhe sidomos drenazhimit.
Kjo ka sjellë probleme në kullimin e ujërave sipërfaqësore në zonë. Megjithatë potenciali i zhvillimit të turizmit i kësaj zone bregdetare mbetet shumë i lartë. Për ketë arsye Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kryer një studim fizibiliteti përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës së kësaj zone. Shoqëria “Illyrian Consulting Engineers” sh.p.k. në cilësinë e Konsulentit ka nënshkruar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, kontratën me objekt: “Studim Projektim i Zonës Turistike Golem, Kavajë”.
Objektivat kryesorë të këtij projekti do të jenë: Përmirësimi i aksesit drejt potencialeve turistike të zonës, me qëllim zhvillimin e turizmit, rritja e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritja e mundësive për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike, përmirësimi dhe siguria e lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike si dhe përmirësimi dhe lehtësimi i qarkullimit të mjeteve të transportit nga zona turistike në drejtim të Kavajës, të Durrësit dhe të Tiranës.
Për të arritur objektivat e mësipërm, referuar Termave të Referencës Konsulenti do të trajtojë rreth 26 kilometra rrugë, kanale ose shëtitore, kryesisht në gjurmë ekzistuese. Gjithashtu do të parashikohet një kryqëzim në disnivel (me nënkalim ose mbikalim), i cili do të vendoset midis rrethrotullimit të plepave dhe Malit të Robit dhe duhet të lidhë rrugët dytësore me njëra tjetrën.
Në zonat me intensitet të lartë ndërtimi, do të bëhet planifikimi i hapësirave për parkime, parqe, sheshe etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.