Rilindja urbane – Transformohet qendra e Bashkisë Devoll
Projekti i Rilindjes Urbane është shtrirë edhe në njësitë më të vogla administrative. Qendra e Bashkisë Devoll ka nisur të transformohet në një model që rrit cilësinë e jetesës në qytet dhe nxit ekonominë lokale. Me investimin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve është bërë i mundur rikonstruksioni i rrugëve, trotuareve, shesheve dhe lulishteve, por edhe ndërtimi i një shëtitoreje të re.
Pjesë e rëndësishme e projektit për rikualifikimin urban të qendrës së Bilishtit është edhe gjelbërimi, ku do mbillen rreth 3500 pemë të reja, vendosja e rreth 150 stolave, një këndi lojërash, si dhe 4 stacione biçikletash.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv.kryeministri Niko Peleshi inspektuan punimet e deritanishme të këtij projekti.
Gjatë vizitës në Korçë, kryeministri Edi Rama inspektoi edhe punimet në segmentin rrugor që lidh Ormanin me fshatrat. Gjithashtu Rama pa nga afër investimin e bërë në një kombinat të teknologjisë së fundit për përpunimin e mishit, i cili është ngritur prej një viti në Korçë, si dhe vizitoi shkollën e mesme Maliq e cila është rikonstruktuar tërësisht dhe është gati për të pritur nxënësit në sezonin e ardhshëm shkollor.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.