Rimbursimi i medikamenteve – Në prill vlera është përgjysmuar në 457 mln lekë nga 894 që ishte në mars

Bëhet publike vlera e rimbursimit të medikamenteve për muajin prill 2018 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Edhe pse këto të dhëna nuk janë bërë transparente në kohë reale, duket se ky institucion është angazhuar që të bëjë publike të dhënat që duhet të botojë në 10 ditshin e parë të çdo muaj.
Sipas të dhënave zyrtare të fondit në këtë muaj janë rimbursuar mbi 457 milionë lekë për farmacitë në të gjithë vendin. Shifër kjo që ka pësuar përgjysmim krahasuar me muajin mars, ku në total janë rimbursuar mbi 894 milionë lekë.
Ajo që bie në sy nga analiza e të dhënave është se mbi 163 milionë lekë kanë shkuar për farmacitë në Tiranë dhe pjesa tjetër është shpërndarë për farmacitë në rrethe.
Tropoja është rrethi që zakonisht rimbursohet më pak dhe këtë muaj nuk ka kaluar shifrën e 100 mijë lekëve ndryshe nga muaj mars që ishte rimbursuar në vlerën e 6 milionë lekë.
Më pas në rrethet që përfitojnë sasinë më të ulët të rimbursimeve renditet Kukësi që këtë muaj është rimbursuar me 2.2 milionë lekë, e ndjekur nga Saranda që është rimbursuar me 5 milionë lekë.
Zakonisht nga eksperiencat e mëparshme është treguar që çdo muaj ka luhatje në vlerat e rimbursimeve. Mbetet për të parë se çfarë ka ndodhur me rimbursimet e bëra nga fondi edhe në muajt maj e qershor, të cilat ende nuk janë bërë publike.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.