Rimbursohen 33.5 milion euro TVSH në 3 muaj – Prill-Qershor 2020/ Shlyhen 300 kërkesa, stoku 95 milionë euro
Administrata tatimore ka paguar rreth 4.2 miliardë lekë apo 33.5 milionë euro për rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve përgjatë periudhës Prill-Qershor 2020. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme Tatime, gjatë këtij tremujori, rreth 2,1 miliardë lekë e vlerës së rimbursuar shkoi për pagesën e kësteve për tatimpaguesit e mëdhenj në listën e tatimpaguesve me këste. Ndërsa numri i kërkesave FIFO të miratuara dhe rimbursuara gjatë kësaj periudhe ka qenë në total 258 me vlerë rreth 2.1 miliard lekë.
Po të vëmë re grafikun, gjatë kësaj periudhe ka një rritje të lehtë të pagesave në raport me Janar-Mars 2020, ku u rimbursuan 3.1 miliardë lekë, por sërish janë paguar më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, si dhe të dy tremujorevë të tjerë pasues. Sipas tatimeve nga 421 kërkesa për rimbursim, janë pranuar 300 prej tyre, ndërsa 121 janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore.
Në fund të tremujorit të dytë 2020, stoku i rimbursimit të TVSH-së kapi vlerën rreth 11,8 miliard lekë apo rreth 95 milionë euro nga 12,5 miliard që ishte në fund të tremujorit të parë të vitit 2020. Kërkesat e miratuara për tre tatimpaguesit më të mëdhenj të cilat trajtohen me këste përbëjnë 93.1 % të totalit të stokut të rimbursimeve në fund të tremujorit të dytë të 2020, ndërsa kërkesat FIFO u rimbursuan të gjitha duke mos krijuar stok në fund të këtij tremujori.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.