Rimëkëmben çmimet e naftës – Investitorët pranojnë më shumë rrezik. Oferta nga OPEC, e ulët

Nafta është rritur në tregtinë e ditës së Martë, me investitorët që kanë testuar përsëri pranimin e rrezikut, ndërkohë që presin të dhëna nga Rezerva Federale mbi rrugëtimin e normave të interesit. Nafta Brent e Londrës u rrit me 0.7% në 81.47 dollarë për fuçi, pasi ra me 1% në tregtinë e kaluar. Nafta Bruto amerikane, u rrit me 0.9%, në 78.91 dollarë për fuçi, pasi ra me 0.8% në tregtinë e ditës së Hënë. Rënia e dollarit ka ofruar mbështetje për çmimet e naftës, pasi e bën më të lirë për mbajtësit e valutave të huaja.
Një komision i Senatit në SHBA ka mbajtur një seancë dëgjimore me kryetarin e bankës qendrore, Jerome Powell, ç’ka mund të ofrojë detaje për planet e institucionit për të tkurrur politikat monetare. Rënia e fundit e çmimeve ishte shkaktuar nga shqetësimet mbi rritjen e rasteve me Omicrion, ç’ka ngriti dyshime mbi rimëkëmbjen e kërkesës për naftë. Megjithatë, pavarësisht rritjes rekord të rasteve, asnjë ekonomi e madhe nuk po konsideron rivendosjen e masave të karantinës.
Disa analistë thonë se rritja më e vogël e prodhimit në raport me kërkesën nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, po mbështet gjithashtu çmimet. Libia, që është përjashtuar nga uljet e prodhimit të OPEC, është përballur me ndërprerje, për shkak të mirëmbajtjes së tubacioneve. Tregu po pret edhe të dhënat e inventarëve në Shtetet e Bashkuara, për detaje të reja mbi kërkesën në vend. Analistët presin rënie të inventarëve të naftës bruto me 2 milionë fuçi, ç’ka do të shënonte javën e 7 radhazi të rënieve, një tregues i mirë për kërkesën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.