Rimëkëmbet industria italiane – Prodhimi rritet me 0.7%, siguron një rritje modeste të ekonomisë

Prodhimi industrial në Itali u rimëkëmb papritmas në Maj, duke u rritur me 0.7% nga muaji i kaluar, pas një rënie me 0.5% në Prill.
Të dhënat tregojnë se ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, qëndron në një ritëm modest të rritjes.
Rritja me 0.7% në muajin Maj ishte sipër projeksioneve të analistëve për 0.5%. Prodhimi industrial në Itali ka korelacion poziriv me Produktin e Brendshëm Bruto, që u rrit me 0.4% në tremujorin e parë, nga 0.3% që ishte në fundin e 2016-ës.
Prodhimi industrial ka rënë me rreth 25% nga viti 2008 në 2014-ën, dhe ka rifituar vetëm një pjesë të vogël të kësaj gjatë dy viteve të fundit.
Qeveria e Kryeministrit Paolo Gentiloni projekton një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me 1.1% për vitin 2017, në rritje nga 0.9% që ishte vitin e kaluar.
Megjithatë, ky projeksion e pozicionon Italinë në ekonomitë e Eurozonës me rritje të ngadaltë.
Rritja e outputit në Maj nga muaji i kaluar erdhi prej rritjes së prodhimit të mallrave konsumatore, ndërsa prodhimi i mallrave të ndërmjetëm dhe produkteve të energjisë pati rënie.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.