Rimëkëmbet transporti i mallrave – I kthehet rritjes gjatë Marsit, 39,1%
Volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte gjatë muajit Mars pati një rritje prej 39,1% krahasuar me 2016, duke arritur në 345 mijë ton. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie, 92,8%, ka kaluar nga porti i Durrësit.
Ky shtim në volumin e mallrave ndikoi në një rritje prej 8% në periudhën Janar-Mars 2017, pas një rënieje prej mbi 6% gjatë Janar-Shkurt.
Ndërkohë, rritje ka shënuar edhe transporti i mallrave me hekurudhë, duke u rritur me 250% nga Marsi i mëparshëm, por duke mbetur në terma absolutë në shifra shumë të ulëta dhe në rënie nga viti në vit. Transporti hekurudhor është ulur nga 399 mijë ton mallra në vitin 2007, në 76 mijë ton në vitin 2016.
Marsi ka shënuar një rritje prej 19,4% krahasuar me vitin 2016, sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore. Megjithatë, ky shtim i pasagjerëve ka ndikuar shumë pak në shtimin e numrit të fluturimeve, të cilat janë rritur me 5,6% krahasuar me Mars 2016.
Ky tregues pritet të rritet edhe më tepër me hyrjen në treg të linjave low-cost, sidomos gjatë stinës së verës, kur ka një “bum” fluturimesh.
Numri i pasagjerëve që zgjodhën transportin detar për të udhëtuar është ulur me 3,8% në rreth 50 mijë persona.
Kjo formë transporti është më popullore gjithashtu gjatë verës, kur arrin të tejkalojë për numër udhëtarësh transportin ajror. Edhe këtë vit ky fenomen nuk pritet të ndryshojë, falë çmimeve më favorizuese të biletave të trageteve për pasagjerët që udhëtojnë nga dhe në drejtim të Italisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.