Rimëkëmbja e ekonomisë globale, OECD: Ka ende nevojë për ndërthurje të politikave fiskale e monetare
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, raportoi se rimëkëmbja e ekonomisë globale që ka nisur që prej krizës financiare të vitit 2008, kërkon mbështetje nga politikat fiskale.
Sipas kreut të organizatës, Jose Gurria, politikat monetare janë tejet lehtësuese në pjesën më të madhe të vendeve anëtare, veçanërisht në Europë dhe Japoni. Ai shton se duhet një ndërhyrje e politikave, si kombinimi i normave të ulëta të interesit, shpenzimeve publike dhe reduktimeve tatimore.
Organizata projektoi se Produkti i Brendshëm Bruto në të gjithë botën do të rritet me rreth 4% këtë vit, pas normës me 3.7% të regjistruar në vitin 2017. Norma që projektohet për vitin 2018 është e njëjtë me performancën përpara krizës financiare.
Fuqizimi i ekonomisë ka shtuar presionet te qeveritë që të nisin përfundimin e stimujve monetare që kanë zgjatur për 1 dekadë, duke rritur në mënyrë graduale normat e interesit.
Disa analistë kanë bërë të ditur se tkurrja e shpejtë monetare mund të kërcënojë rimëkëmbjen ekonomike, ndërsa të tjerë argumentojnë se rritja e normave të interesit është e nevojshme për të rikthyer politikat në normalitet dhe krijuar hapësirë për manovrim në recesionin e ardhshëm.
Kreu i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, nuk shprehu shqetësim mbi luftën tregtare, duke thënë se deri më tani ka qenë një luftë fjalësh.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.