Rimëkëmbja nga Pandemia, përtej pritshmërive – Konsumi me rritje 5,6%, eksportet 55%, “shkëlqyen” bankat, industria e ndërtimi
Treguesit ekonomikë përgjatë vitit 2021 kanë rrëzuar çdo pritshmëri sa i përket presionit që do të ushtronte në ekonomi Pandemia Covid 19, dhe në mënyrë të veçantë kufizimet e lëvizjes së njerëzve e të mallrave. Analiza që bën Ministria e Financave në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal për vitet 2023-2025 flet për kërcim përtej çdo pritshmërie të thuajse të të gjithë treguesve kyc, duke nisur nga konsumi, te eksportet, apo ecuria e sektorëve të veçantë të ekonomisë., ku shkëlqyen sektori financiar i bankave e sigurimeve, industria e ndërtimi.
Konsumi final për nëntëmujorin 2021 ka shënuar rritje prej 5.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020, me një kontribut pozitiv në rritjen e PBB-së prej rreth 3.35 pikë përqindje, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit me rreth 5.30 për qind. Ndërkohë, vetëm për tremujorin e tretë konsumi final total dhe ai i popullatës shënuan një normë rritje në respektivisht 3.75 për qind dhe 3.33 për qind.
Përgjatë nëntë muajve të vitit 2021, eksportet e mallrave dhe shërbimeve
kanë pasur një rritje të fortë prej rreth 55 për qind, ndërsa po ashtu rritja ka qenë e fortë edhe në importet e mallrave dhe shërbimeve prej rreth 31 për qind. Ndërkaq, sektorët, të cilët kanë shënuar rritjen më të fortë përgjatë periudhës nëntëmujore të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë:
“Industria”, me rritje prej 23.9 për qind dhe kontribut pozitiv prej 3.06 pikë përqindje; “Tregtia me shumicë dhe pakicë”, me rritje me 13.88 për qind dhe kontribut prej 1.98 pikë përqindje; “Ndërtimi”, me rritje prej 20.7 për qind dhe kontribut prej 1.77 pikë përqindje; “Aktivitete financiare dhe të sigurimit”, me rritje prej 24.2 për qind dhe kontribut pozitiv prej 0.75 pikë përqindje; si dhe “Arte, argëtim dhe çlodhje”, me rritje prej 11.6 për qind dhe kontribut prej 0.22 pikë përqindje etj. Sektori i vetëm që ka pësuar rënie është “Bujqësia”, me rënie prej -0.15 për qind dhe kontribut prej -0.03 pikë përqindje.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.