Rimëkëmbja socio-ekonomike pas Covid-19 – Plani 97.3 milionë dollarë i OKB: Rritja e borxhit publik, e pashmangshme
Me një buxhet të vlerësuar prej 97,393,880 USD, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka prezantuar planin e përgjigjes socio-ekonomike dhe rimëkëmbje ndaj COVID-19 në Shqipëri për 12-18 muajt e ardhshëm. Qëllimi i këtij Plani është të sigurohet një përpjekje e bashkërenduar, bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse për të adresuar ndikimet shumëdimensionale të COVID-19, dhe për të mbrojtur nevojat dhe të drejtat e njerëzve që jetojnë nën presionin e pandemisë, me një përqendrim në grupet më të rrezikuara dhe njerëzit që rrezikojnë të lihen pas.
Plani identifikon 113 veprime prioritare që synojnë promovimin e zhvillimit socio-ekonomik në Shqipëri duke minimizuar dhe zbutur ndikimin negativ të COVID-19, ndërsa kërkon të mbështesë qeverisë në rimëkëmbjen e vendit duke u bazuar në pesë shtylla, e më konkretisht në brojtja e sistemit dhe shërbimeve shëndetësore, mbrojtjen sociale dhe shërbimet themelore, si dhe mbrojtjen e vendeve të punës dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Shtylla e 4-t përfshin përgjigjen makroekonomike dhe bashkëpunimin shumëpalësh, ndërsa shtylla e pestë kohezionin social dhe rezistenca e komunitetit. Në analizën socio-ekonomike të kryer nga OKB, ndikimet e COVID-19 shihen të lidhura dhe me tërmetin e 26 nëntorit, si 2 goditje të njëpasnjëshme që pësoi vendi ynë. Duke iu referuar parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar borxhi pritet në rritet në mbi 75% të PBB-së në vitin 2020, teksa rritja e deficitit fiskal dhe borxhit publik do të jenë masat e nevojshme për të hyrë në rrugën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit.
Paralelisht, në raport shihet si shqetësues ulja e shpenzimeve publike për sektorin shëndetësor, në një kohë që kërkohet fuqizimi i tij. Ndërkaq, teksa analizon goditjet në çdo sektor, sipas raportit, krahasuar për sektorët e tjerë, sistemi financiar tregoi qëndrueshmëri, me një nivel të ulët të kredive me probleme (8.3%) deri në Mars 2020.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.