Rindërtimi i infrastrukturës – Trump kërkon fonde për rrugët dhe urat

Pas miratimit të reformës fiskale, Presidenti amerikan Donald Trump, do të kërkojë fitoren e radhës që në fillim të vitit 2018. Në janar do të publikojë projektin e investimeve infrastrukturore për rindërtimin e rrugëve, urave dhe aeroporteve në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Kështu, pasi kaluan paketën e stimujve të pas krizës 2007-2009 dhe reformën e taksave në vitin 2017, Shtetet e Bashkuara po përgatiten për projektin e radhës së stimujve fiskalë.
Por, rrugëtimi i Trump për të grumbulluar një mijë miliard dollarë investime infrastrukturore në një periudhë 10-vjeçare nuk do të jetë e lehtë. Reforma fiskale ka ulur mundësitë për ndihmë shtetërore. Ndërkohë, edhe në bilancin për vitin fiskal në vijim, Trump ka ulur shumën prej 200 miliardë dollarë të destinuara për investime infrastrukturore, mbi të cilat privatët do të shtonin edhe 800 miliardë të tjerë. Si rrjedhojë privatët janë më të ndrydhur për të marrë pjesë në këtë program investimesh pa garancitë e nevojshme.
Nga ana tjetër, demokratët janë dakord për nevojën e vijimit me investimet infrastrukturore dhe politikat e stimulit të ekonomisë, por kanë një axhendë tjetër. Janë kundër penalizimit të konsumatorëve dhe kërkojnë një ndërhyrje direkte të Shtetit. Projektligji i tyre kërkon alokimin e 500 miliardë dollarëve në një periudhë 10-vjeçare dhe limitim të rolit të investitorëve privatë.
Trump e di se ka nevojë për demokratët, pasi për të miratuar në Senat projektin e tij, ose çdo projekt tjetër i duhen 60 vota dhe sot republikanët kanë vetëm 51, kundrejt 49 të demokratëve. Për këtë qëllim, President u ka kërkuar demokratëve që të punojnë së bashku. Ja përse në vitin 2018 do të jetë infrastruktura në qendër të debatit ekonomik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.