Rindërtimi, nisin projektet e huaja – Miratohet marrëveshja me Turqinë për 522 banesa, Zvicra kalon fondin 1.6 miliard dollarë
Qeveria Shqiptare ka miratuar dy marrëveshje për ndihmë nga jashtë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat janë botuar në fletoren zyrtare. Marrëveshja e parë është ajo me shtetin turk, project që merr përsipër ndërtimin në total të 522 banesave, si edhe të faciliteteve sociale, me qëllim për të përballuar nevojën urgjente për strehim në zonat e prekura nga tërmeti.
Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi rregullon parimet themelore për realizimin e Projektit në cilësinë e Grantit të Republikës së Turqisë për Republikën e Shqipërisë, për ndërtimin e banesave pas tërmetit në Njësinë Administrative Laç, Bashkia Kurbin.
Marrëveshja detyron qeverinë shqiptare të marrë masat që parcelat dhe trojet e ndërtimit do të dorëzohen të çliruara nga çdo peng, barrë e pretendim i çfarëdo lloji, ndërkohë që duhet të sigurojnë përjashtimin nga detyrimet doganore për importin e përkohshëm të të gjitha makinerive të ndërtimit. Kompania turke e ndërtimit që është caktuar nga Enti Kombëtar Turk I Banesave për realizimin e Projektit do të jetë e përjashtuar nga taksat dhe/apo tatimet e aplikueshme në Republikën e Shqipërisë.
Për t’u llogaritur mbetet kosto financiare e projektit, duke qenë se në marrëveshje përcaktohet pas miratimit përfundimtar të projekteve për secilën godinë.
Paralelisht është miratuar nga Qeveria Shqiptare edhe marrëveshja përmes së cilës Konfederata Zvicerane kalon një fond prejafërisht 1.6 milionë dollarësh për riparimin e banesave të dëmtuara.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.