Rindërtohen urat – U dëmtuan nga përmbytjet, Xhaçka: Gjithnjë në gatishmëri
Rreth 6000 banorët e 10 fshatrave në bashkitë Dropull e Delvinë e kanë më të lehtë komunikimin me pjesën tjetër të bashkive të tyre dhe më të gjithë vendin. Batalioni xhenio i Forcave të Armatosura ka ndërtuar në vetëm pak ditë dy ura, në Vanë dhe Llongo, të cilat u dëmtuan në fillim të këtij muaji pas përkeqësimit të motit.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë inspektimit të dy urave, siguroi se Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë pranë komunitetit jo vetëm gjatë ditëve të festave por në çdo ditë të vitit.
“Faza post emergjencë është po kaq e rëndësishme sa edhe reagimi në orët e para të emergjencave, ku Forcat e Armatosura angazhuan rreth 3 mijë efektivë. Djemtë tanë vazhdojnë të jenë në terren prej 4 javësh me ndërtimin e urave si ajo e Darëzezë pak ditë më parë apo si këto në Delvinë e Dropull sot, të cilat çojnë në 10 numrin e urave që kemi ndërtuar që prej shtatorit të këtij viti. Do të jemi pranë të gjithëve në kohët më të vështira. Edhe kur të tjerët festojnë, FA do të jenë në krye të detyrës siç janë në krye të detyrës në çdo moment me atdhedashuri edhe me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës. Për ne nuk është e rëndësishme nëse dikush banon në autostradën Tiranë- Durrës, banon në Vlorë, në Dropull, apo në zona të largëta dhe të izoluara. Ne do të jemi pranë tyre përherë, për të kapërcyer bashkë vështirësitë e duke ua bërë jetën më të lehtë”, tha Ministrja gjatë inspektimit të urës në Përroin e Rrapishtave në Dropull”.
Në Delvinë, ura e ndërtuar bën të mundur që 1mijë banorët e fshatit Vanë tanimë të komunikojmë pa vështirësi me rrugën nacionale. Ministrja Xhaçka gjatë takimit me banorët bëri me dije se mbi 4 mijë familje në disa bashki janë ndihmuar me pako ushqimore e veshmbathje gjatë këtyre javëve.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.