Rindërtohet aksi Vorë-Fushë Krujë, Qendro: Punimet nisin të enjten, plan për devijimin e trafikut
Prej datës 13 shtator do të nisë ndërhyrja për rehabilitimin E plotë të aksit Vorë-Fushë Krujë. Lajmi u bë me dije nga kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro teksa inspektoi mbylljen e punimeve në aksin rrugor që lidh Vorën me ish-fabrikën e Tullave. Ky segment ka qenë një ndër më problematikët për shkak të gjendjes së degraduar dhe fluksit në rritje të mjeteve që e përshkojnë.
“Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 km për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Ditën e Enjte ne fillojmë rehabilitimin e segmentit Vorë-Fushë Krujë. Do të bëjmë njoftimin përkatës si do të punohet bashkë me planin e trafikut që do hartohet në bashkëpunim me Policinë Rrugore”.
Vlera totale e investimit në aksin Vorë- ish- Fabrika e Tullave arrin në rreth 616 mijë euro, ndërkohë që me zbatimin e këtij projekti mori zgjidhje edhe problemi me rrjetin e ujësjellësit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.