“Rinohet” qeveria! Ministrat e rinj ulin me 6 vite moshën mesatare të kabinetit qeveritar
Ndryshimet që janë ndërmarrë në kabinetin qeveritar, nuk kanë sjellë vetëm ndryshimet e emrave por edhe një ulje të moshës mesatare të kabinetit. Nëse analizojmë moshën e ministrave të rinj dhe e krahasojmë me moshën e ministrave të mëparshëm që u larguan nga kabineti, rezulton se mosha mesatare është ulur me 6 vite.
Kabinetit qeveritar iu shtua ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, një pozicion që e mori ish-kordinatorja kombëtare e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali. Por, ndryshimet më të rëndësishme lidhen me zëvendësimin e gjashtë ministrave të qeverisë, përkatësisht Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj, Lindita Nikolla, Sonila Qato, Niko Peleshi, Mirela Kumbaro si dhe zv/ Kryeministrja, Senida Mesi.
Në vend të tyre, u emëruan përkatësisht Belinda Balluku, Gent Cakaj, Anila Denaj, Besa Shahini, Eduard Shalsi, Blendi Çuçi, Elva Margariti dhe Erion Braçe. Ajo që bie në sy me zëvëndësimet e reja, është diferenca në moshë.
Grupi i ministrave të rinj ka një moshë mesatare 40 vjeç, ku mosha më e ulët është ajo e Ministrit të ri të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, 28 vjeç. Nga ana tjetër, grupi i ish-ministrave që u zëvendësuan ka një moshë mesatare 46 vjeç.
Gjatë Asamblesë, kryeministri Rama shprehu qartë synimet e tij për të shkuar drejt një mandati të tretë. Midis të tjerave, ai tha se këto ndryshime duhet të shihen si pjesë të një reflektimi të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do e çojë qeverinë “Rama 2” drejt qeverisë “Rama 3”. Dhe kjo lëvizje duket se i përshtatet edhe këtij qëllimi, pasi kjo lëvizje sjell në kabinet një ekip ministrash me një moshë 6 vite më të re.
Mosha e ministrave të larguar
Senida Mesi 41
Damian Gjiknuri 46
Ditmir Bushati 41
Arben Ahmetaj Ahmetaj 49
Lindita Nikolla 53
Sonila Qato 41
Niko Peleshi 48
Mirela Kumbaro 52
Mosha mesatare: 46
Mosha e ministrave të rinj
Besa Shahini 30
Gent Cakaj 28
Blendi Çuçi 58
Elva Margariti 34
Eduard Shalsi 50
Anila Denaj 38
Belinda Balluku 36
Erion Braçe 46
Mosha mesatare: 40
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.