Rinovohet flota e autoambulancave – Shërbim me aparatura moderne edhe në banesë

Tre spitalet universitare në kryeqytet janë pajisur me autoambulancat e reja, të cilat, falë aparaturave moderne, mundësojnë ofrimin e shërbimit edhe në banesë.
Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, rinovimi i flotës është shoqëruar edhe me trajnimin e stafit ndërkohë që me zgjerimin e grupeve të terrenit, do të jenë në dispozicion 15 autoambulanca të reja.
“Është trajnuar stafi dhe çdo spital universitar në Tiranë ka tashmë nga 3 autoambulanca të reja, ndërsa me zgjerimin e grupeve të terrenit do të jenë 15 autoambulanca të reja në territor, vetëm në Tiranë”, tha drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj.
Në total janë 32 autoambulanca të reja në të gjithë vendin. Riorganizimi i Qendrës Kombëtare Urgjencës Mjekësore ka bërë që numri i thirrjeve për ndihmë që priten falë sistemit të ri të kësaj njësie të 4-fishohet.
Kjo qendër gjatë vitit 2018, ka marrë mesatarisht 900 thirrje në ditë duke kryer mbi 44 mijë misione nga të cilët 56% e pacientëve e kanë marrë shërbimin shëndetësor në banesë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.