Riorganizohet sistemi spitalor – Autonomi financiare, ligjërohet financimi i privatëve me para publike
Spitalet private do të kenë mundësi të përfitojnë fonde publike për shërbime të ofruara në formën e paketave shëndetësore apo nëpërmjet partneritetit publik privat, si një e drejtë që do iu takojë me ligj. Gjithçka përcaktohet në një projektligj të nxjerrë për konsultim publik rreth një javë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili riorganizon funksionimin e gjithë sistemit spitalor në vend.
Aktualisht, përmes një vendimi qeverie shteti financon 10 paketa shëndetësore në 5 spitale private, por nuk kanë munguar kritikat për kostifikimin e tyre apo ekspozimi i pacientëve ndaj pagesave, ndonëse parashikohet që ato të jenë 100% falas. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit i datës 29 dhjetor 2017 ka kontaktuar se përcaktimi këtyre kostove nga Këshilli Administrativ i Fondit është në kundërshtim me ligjin dhe statutin e FSDKSH-së.
“Përcaktimi i marzhit të fitimit për paketat shëndetësore është arbitrar dhe jo i përcaktuar sipas ndonjë studimi të mirëfilltë të analizimit të kostove dhe përcaktimeve ligjore për vendosjen e tij,” thuhet ndër të tjera në auditin e KLSH. Ndërkaq, për herë të parë projektligji sjell edhe konceptin e autonomisë financiare për spitalet, duke iu dhënë mundësinë këtyre institucioneve shëndetësore të krijojnë vetë të ardhura. Gjithashtu, spitalet që do të përfitojnë këtë status do të kenë autonomi në drejtim të menaxhimit të burimeve njerëzore apo të investimeve që do të vendosin të kryejnë sipas nevojave të spitalit.
Këto institucione do të kenë të drejtë të shesin shërbimin e tyre në institucionet e sigurimeve shëndetësore të Republikës së Shqipërisë dhe të shteteve të huaja si dhe të lidhin kontrata me palë të treta për ofrimin e shërbimeve, por pa cenuar qëllimin fillestar të krijimit të tyre. Megjithatë, aktualisht, projektligji është tërhequr nga faqja e konsultimit publik, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të nxirret për diskutim në një moment të dytë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.