Ripple, kriptovaluta e vitit – U rrit me 35000%, pas njoftimit të bankave aziatike
Një vit më parë duheshin 6 cent dollarë amerikanë për të blerë 10 Ripple, një monedhë virtuale si gjithë të tjerat që rivalizon bitcoin.
Sot, një Ripple kushton 2.5 dollarë. Kjo do të thotë se, në një vit, monedha u rrit me një normë prej 35000%.
Kjo i’a kalon edhe performancës së vetë Bitcoin që u rrit me plot 1400% gjatë vitit, duke u bërë kështu kriptovaluta me performancën më të mirë gjatë 2017-ës.
Kjo rritje i ka mundësuar gjithashtu Ripple që të kalojë në renditje Etherum për t`u bërë kriptovaluta e dytë për kapitalizim tregu në botë, me plot 90 miliardë dollarë.
Në krye të klasifikimit vijon të mbetet Bitcoin me 240 miliardë dollarë. Ndërkohë që bitcoin një vit më parë zinte 90% të tregut, sot, kryesisht për faj të Ripple, zë vetëm 40%.
Pavarësisht emrit që i vëmë kriptovalutës, kjo e fundit mbetet fenomeni financiar i 2017-ës dhe shtysa ka ardhur pikërisht në muajt e fundit të vitit.
Ajo që i dha Ripple shtysën përfundimtare ishte njoftimi i disa bankave aziatike, e kryesisht japoneze, se kanë arritur marrëveshjen për të eksperimentuar mbi kriptovalutën si baza e një sistemi të ri pagesash.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.