Rishikim tarifave të Rinasit, Keri: Negociata me koncesionarin, kohëzgjatja do përcaktohet nga palët
Koncesionari i Aeroportit të Rinasit ka realizuar një fitim neto prej 150 milion euro për periudhën 2004-2017, apo 84 milion euro më shumë nga sa ishte skenari bazë. Ky është një prej përfundimeve në të cilin ka arritur rishikimi i pavarur ekonomik i kontratës koncesionare, realizuar nga kompania e kontraktuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Mbi bazën e këtij raporti, ky dikaster shpreson në uljen e tarifave aeroportuale, çka do të sjellin edhe uljen e çmimit të biletave ajrore. Auditimi ka nxjerrë në pah se gjatë periudhës 13-vjeçare të operimit, nga Rinasi kanë udhëtuar mbi 10 milion pasagjerë apo 3 milion më shumë nga sa ishte plani në kohën kur u nënshkrua kontrata.
Ndërkohë që, bazuar në parashikimet e pikës 19.4 të këtij dokumenti, palët duhet të nisin negociatat për vendosjen e balancës ekonomike, duke qenë se tashmë u vërtetua se ka lindur një disbalancë e tillë.
Sipas kësaj pike “duke u bazuar në rezultatet e Vlerësimit të Pavarur, palët do të bisedojnë për amendamentet e kontratës (duke përfshirë pa kufizim, rregullime të kohës së detyrimeve, specifikime, Kuotën Junior apo Pagesat për Shërbimet e Aeroportit, siç do te konsiderohet e përshtatshme nga Palët, në mënyrë që të rikthejnë ekuilibrin ekonomik të Koncesionit”.
Ndërkaq, më herët kreu i AAC-së, Krislen Keri ka deklaruar për TV SCAN se negociatat do të kërkojnë kohë.
“Heqja e ekskluzivitetit të aeroportit të Rinasit zgjati 2 vjet e gjysmë, ndërsa kjo që po bëjmë tani është punë më vete. Ndaj duhej kryer dhe ky vlerësim, që të kemi dokumente konkrete dhe më pas të vendoset sesi mund të ndërhyhet. Sigurisht nuk mund të themi një afat konkret sesa mund të zgjatin, por grupet e negocimit, në momentin që ulen vendosin një skedul me afatet që do të kërkohen dhe normalisht përpiqen t’u qëndrojnë. Megjithatë, e rëndësishme është të fillojë procesi”.
Ndërkaq, në 20 korrik 2018 edhe Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi qeverisë të ndërhyjë për rishikimin e pagesave për shërbimet e Aeroportit çdo tre vjet, sikurse parashikohet në kontratën koncesionare.
Sipas vendimit të asaj kohe, detyrimi që buron nga pika 19.2 e kontratës së lidhur mes palëve, nuk është zbatuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.