Rishikimi i buxhetit 2017, pritet rritja me 3.3 miliard lekë e fondit për pronarët!
Agjencia e Trajtimit të Pronës ka përfunduar procesin e vlerësimit ekonomik të vendimeve të dhëna në vitin 1995 nga komisionet e kohës. Janë më shumë se 6 mijë dosje që janë rivlerësuar, nga të cilat më shumë se 2 mijë kanë rezultuar me të njëjtin zë kadastral që kanë kanë pasur në momentin e shpronësimit (1945).
Brenda pak kohësh pritet që të nisë procesi për rivlerësimin e vendimeve të viteve 1996-1997 ndërsa nga ana tjetër parashikohet të rritet më tej fondi për kompensimin e pronarëve. Fondi për vitin 2017 për këtë qëllim është në vlerën e 1.8 miliard lekëve e pritet që me ndryshimet e buxhetit në mesin e këtij viti, ky fond të shtohet me 3.3 miliard lekë të tjera. Ky fakt u bë i ditur nga drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronës Sonila Qato në një intervistë për “Ora News”.
“Jemi në vitin e dytë buxhetor. Gjatë 2016 kishim një fond 2.4 miliard lekë dhe aktualisht gjatë 2017 kemi në dispozicion 1.8 miliard lekë. Dhe me rishikimin e buxhetit (korrik-shtator) presim një fond shtesë për të ezauruar një detyrim që ka marrë qeveria shqiptare për miratimin e për plotësimin e një kuotë prej 3.3 miliard lekësh” tha Qato.
Intervista e plotë: Kliko këtu
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.