‘Rishikimi’ i TAP në Itali – SOCAR: Asnjë plan B për gazsjellësin
Nuk ka asnjë plan B për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) që parashikon transportin e gazit azerbajxhanas në Europë. Deklarata ka ardhur nga nënkryetari i kompanisë shtetërore të gazit në Azerbajxhani ‘SOCAR’ për investime dhe marketing, Vitali Baylarbayov, i cili shprehu vërejtjet e tij mbi qëndrimin e Italisë për rishikimin e projektit.
Sipas agjencisë së lajmeve ‘AzerNews’, Baylarbayov shprehu besimin se Italia do ta shohë TAP-in të përfundojë në kohë, duke shtuar se vendi ka nevojë për gaz.
“Italia ka nevojë për këtë gaz. Kërkesa e gazit në Itali po rritet dhe vëllimet e importeve po rriten”, theksoi ai i pyetur nëse ekziston një plan rezervë nëse Roma vë veton ndaj pezullimit të TAP në Itali.
Korridori Jugor i Gazit është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Evropian, i cili synon të diversifikojë rrugët dhe burimet e furnizimeve me energji me qëllim përmirësimin e sigurisë energjetike të BE.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.