Rishikohen pagat e punonjësve vendorë – Denaj: Strukturë e re sipas reformës administrative, zbutet hendeku
Të gjithë pagat e punonjësve në sistemin vendor do të rishikohen për t’u përshtatur me reformën që është ndërmarrë në këtë sektor, duke bërë që të mos kenë diferencë të lartë nga ato të pushtetit qendror, sikurse ndodh aktualisht. Ministrja e Financave, Anila Denaj ka bërë me dije lajmin, në përgjigje të pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Ligjeve.
Pyetjes se kur do të rishikohen pagat e pushtetit vendor të cilat vijojnë me ndarjen e vjetër, në 6 shkallë, Denaj ju përgjigj se “Për pagat e kemi diskutuar javën e kaluar dhe kemi thënë që këtë iniciative do e marrim tani. S’mund të ndodhë që sistemi i pagës në pushtetin vendor të jetë shumë me ndryshe në raport me produktin. E mbështes totalisht dhe e kemi nisur këtë punë.”
Po ashtu, Ministrja Denaj iu përgjigj interesit lidhur edhe më ngritjen e kadastrës fiskale dhe mbledhjen e taksës së pronës nga vendorët, duke thënë se pavarësisht se puna ka nisur dy vjet më parë, deri më tani janë regjistruar vetëm 600 mijë pasuri.
“Sot kemi regjistruar vetëm 600 mijë pasuri të paluajtshme në kadastrën fiskale. Dhe kjo është një plagë tjetër. Megjithatë kadastra fiskale nuk mund të jetë pengesë që pushteti vendor të marrë vendime sipas ligjeve. 33 bashki skanë marrë asnjë vendim në lidhje me taksën e pronës qoftë dhe në afatmesëm,” u shpreh Denaj.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.