Rishikohet buxheti 2018 – “Lëshohet dora” për investimet dhe shpërblimin e pensionistëve
Pavarësisht se të ardhurat në buxhet për 6-mujorin e parë të vitit rezultuan 3.6 miliardë lekë më pak, për shkak të goditjes që dha zhvlerësimi i euros, qeveria nuk ka bërë ndryshime në buxhet sa i përket të ardhurave dhe deficitit. Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ të buxhetit 2018, duke i dhënë më shumë prioritet nxitjes së mëtejshme e realizimit të investimeve publike përmes rialokimeve dhe shtesave në favor të projekteve me ecuri më të mirë si dhe shpërblimit për pensionistët dhe familjet në nevojë në fundvit.
Përmes një njoftimi për media, Ministria e Financave bën me dije se ndryshimet ne realizuara me Aktin Normativ janë: Akomodimi i një bonusi vjetor shtesë për pensionistët me një vlerë totale në buxhet prej 3 miliard Lekë (rreth 30 milion dollarë); Ri-alokime në investimet publike e cila do të rrisë eficencën e ekzekutimit të tyre si dhe një rritje e tyre krahasuar me buxhetin fillestar prej rreth 300 milion Lekë (ose rreth 3 milion dollarë). Investimet publike totale të qeverisë qendrore në këtë Akt Normativ arrijnë tashmë në nivelin e 86.7 miliard Lekë (rreth 860 milion dollarë) duke arritur nivelin e 5.3% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) nga 5.2% që ishte programuar në ligjin fillestar të buxhetit.
Po ashtu, sistemi i energjisë elektrike merr një pjesë kryesore të shtesës së investimeve publike me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të sistemit. Por njëkohësisht, Ministria e Financave parashikon se situata financiare e korporatave energjetike e përmirësuar ndjeshëm së fundmi, do të mundësojë në këtë vit kthimin e një pjesë të huasë së marrë vitet e mëparshme nga buxheti i shtetit, e reflektuar në vlerën prej 1 miliard Lekë (rreth 10 milion dollarë) në këtë Akt Normativ.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.