Rishikohet ekonomia e Italisë – Istat ul normën për T2, por rritja për të gjithë vitin pritet e fortë
Zyra kombëtare e Statistikave në Itali, ka rishikuar rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto për tremujorin e dytë në 0.3% nga 0.4% që u raportua më parë dhe rriti normën për tremujorin e parë në 0.5%, nga 0.4%.
Me bazë vjetore, rritja ekonomike në tremujorin e dytë mbeti e pandryshuar në 1.5%, ndërsa në të parin, u rishikua në 1.3%, nga 1.2% që u vlerësua fillimisht. Italia ka qenë ekonomia me rritjen më të ngadaltë të Eurozonës që prej krijimit të bashkimit monetar në 1999 dhe pritet të rezultoi këtë vit me normën më të fortë të rritjes në 1 dekadë.
Sipas Bankës Qendrore të vendit, Produkti i Brendshëm Bruto i Italisë pritet të rritet me 1.4%, norma më e lartë që prej vitit 2007. Istat raportoi edhe të dhënat mbi deficitin publik të vendit, që u tkurr lehtë në 2.4% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në gjysmën e parë të vitit, krahasuar me 2.6% që ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.