Rishikohet sërish ndihma ekonomike – Drafti/ Skema jo efektive, përfitimi larg nevojave të popullsisë

Shpenzimi i përgjithshëm në Shqipëri për mbrojtjen sociale mbetet i ulët, duke bërë që 46.2 % e popullsisë të jetë e rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social. Shqipëria shpenzon 9.4% të PBB-së së saj për mbrojtjen sociale, që përkon me gjysmën e mesatares së BE. Sistemi i mbrojtjes sociale në Shqipëri mbizotërohet nga skemat e sigurimeve shoqërore (pensionet, përfitimet e papunësisë) si edhe nga programet jo-kontributive të parave (ndihma ekonomike dhe transfertat e aftësisë së kufizuar). Nisur nga këto të dhëna, drafti i hartuar nga qeveria mbi reformat ekonomike 2022-204, vë në duke se skema e Ndihmës Ekonomike, që është programi kryesor i transfertave në para për të varfërit në Shqipëri has ende disa pengesa që duhen risshikuar.
Sipas dokumentit, niveli i përfitimit mund të mos jetë adekuat krahasimisht me nevojat e popullsisë së targetuar nga ky program; Nuk ka një mekanizëm nëpërmjet të cilit niveli i përfitimit të përditësohet rregullisht; Formula e targetimit mund të rishikohet, për arsye se Shqipëria ka shkuar drejt përdorimit të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, (EU-SILC( për llogaritjen e treguesve të varfërisë, ndërsa formula e përshtatshmërisë është llogaritur bazuar në Anketën e Buxhetit të Familjes; Si dhe mbulimi i programit mund të mos jetë adekuat përsa i përket madhësisë së popullsisë aktualisht në nevojë.
Kështu, qeveria lë si detyrë ndaj institucionenecve përgjegjëse që të bazuar në vlerësimin e ecurisë së nivelit të përfitimit të ndihmës ekonomike, të vendoset një mekanizëm transparent për rishikimin e rregullt të saj. Ndërkaq, kërkohet që të ndërhyhet edhe në punësimin e individëve dhe anëtarëve në moshë pune të familjeve që përfitojnë ndihmë sociale, duke siguruar riintegrimin social, nëpërmjet koordinimit dhe zbatimit të një programi të daljes nga skema e ndihmës ekonomike. Aktualisht, përfitues të ndihmës ekonomike janë 69,700 familje.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.