Rishpërndahet numri i punonjësve në administratë – Ja institucionet që preken nga vendimi
Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së fundit një rishpërndarje të numrit të punonjësve organikë të administratës qendrore. Në total, numri i punonjësve të institucioneve qendrore qëndron i njëjtë për vitin 2018, por do të ketë shkurtime në dikasterin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo ministri pakësohet me 50 veta, nga ku 5 i përkasin aparatit të ministrisë, ndërsa 45 punonjësit e tjerë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, duke e ulur numrin e përgjithshëm të institucionit në 1947 veta.
Pesë nga këto vende do t’i shkojnë Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, duke e çuar numrin e punonjësve për këtë institucion në 28 veta.
Ndërkohë, pjesa tjetër prej 45 vendesh i shtohen Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Kështu, për këto 45 vende në administratë thjesht bëhet fjalë për një transferim varësish midis ministrive të inspektoratit në fjalë.
Pas këtij ndryshimi, numri i përgjithshëm i punonjësve organikë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit arrin në 1080 veta.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.