Risi nga DPSHTRR – Sistemi i ri verifikon kilometrat real të automjetit / Leximi i odometrit do të përfshihet në Certifikatën e Kontrollit Teknik
Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë me dije se një tjetër risi i është shtuar paketës së shërbimeve.
Leximi i odometrit njofton DPSHTRR do të përfshihet në Certifikatën e Kontrollit Teknik të mjeteve rrugore. Kilometrazhi në momentin e kolaudimit, verifikimi me fishë për mjetet me të dhëna digjitale dhe skanimi i kroskotit do të jenë pjesë pa pagesë e shërbimit.
Kjo risi sjell dokumentimin e kilometrazhit, dekurajimin e spekullimeve në treg, nxitjen e mbajtjes së librave të shërbimit (nga autoriparues të ligjshëm) dhe mbrojtjen e konsumatorit, blerësit, sikurse frenojmë hyrjen në vend të mjeteve të tejamortizuara.
DPSHTRR përmes sistemeve të reja mbi verifikimin e mjeteve rezervon të drejtën të gjejë dhe nxjerrë kilometrazhin e vërtetë për mjetet rrugore të importuara, me kilometra, nëse ka mospërputhje me statusin e tyre në kolaudimin e parë në Shqipëri, sikurse të kërkojë nga homologët e huaj informacion në kohë reale mbi statusin më të fundit të odometrit. Mjeteve rrugore që rezultojnë me ulje kilometrazhi do t’u shënohet në certifikatën e kolaudimit statusi real! Nga janari 2022 në Certifikatën e Kolaudimit do të kemi edhe format historiku kilometrazhi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.