Risia e fundit e Airbnb – Lejon përdoruesit e saj të ndajnë pagesat
Përdoruesit e Airbnb tashmë mund të ndajnë koston e qirasë në një numër prej 16 njerëzish. Më parë, duhej që organizatori i udhëtimit të paguante përpara për të gjithë koston e qëndrimit. Por, tashmë pagesat mund të ndahen automatikisht në mënyrë të barabartë, varësisht dëshirës së tyre.
Kur CEO i Airbnb Brian Chesky, pyeti vitin e kaluar përdoruesit në Twitter se çfarë funksioni do të donin të shihnin më 2017, kërkesa më e madhe e tyre ishte mundësia për të ndarë pagesat.
Kjo do të vihet në funksion në mbarë botën, me përjashtim të Indisë dhe Kinës, sepse sipas një zëdhënësi të Airbnb, rregullat e tanishme që janë në këto vende do ta bënin shumë të vështirë funksionimin e këtij mekanizmi.
Opsioni është një pjesë e përpjekjes së madhe të Airbnb për të tërhequr sa më shumë përdorues. Gjatë testimit të funksionit në 80 mijë grupe në 175 vende, të dhënat treguan se 30 për qind e rezervimeve sollën shumë përdorues të rinj që iu bashkuan Airbnb. Kjo ka ardhur vetëm pak muaj pasi kompania vendosi rezervimet e restoranteve brenda aplikacionit të saj.
Ndërkohë, platforma po përpiqet të zgjerohet përtej modelit të saj të biznesit. Pak kohë më parë ajo njoftoi për planin e saj për të ndërtuar një apartament në Kissimmee, Florida në fillim të vitit 2018.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.