Ritëm optimist i vaksinimit në Gjermani, Spahn: “1 në 4 persona do të jenë vaksinuar deri në fillim të Majit”

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se një në katër persona në vend do të kenë marrë të paktën 1 dozë të vaksinës së Covid-19 deri në fillim të muajit Maj. Spahn tha se rreth 18.5 milionë njerëz janë vaksinuar në Gjermani deri më tani, rreth 22% e popullsisë.
“606 mijë njerëz janë vaksinuar dje. Kjo e ka çuar totalin në mbi 1/5 e gjermanëve. Deri në fillim të muajit Maj, 1 në 4 gjermanë do jenë vaksinuar dhe sipas pritshmërive, më vonë gjatë muajit, raporti do rritet në 1/3-n.”
Gjatë konferencës, Lars Schaade, zv/presidenti i institutit Robert Koch për sëmundjet infektive, tha se numri i rasteve të reja me koronavirus nuk po rritet aq shpejt sa ç’pritej, por paralajmëroi se infeksionet janë ende të larta. Ai theksoi se numri i infeksioneve të reja po rriten në veçanti tek ata në moshë 30-59 vjeç dhe shtoi se virusi nuk është më i padëmshëm edhe tek të rinjtë dhe personat e shëndetshëm. Në të njejtën ditë, Kreu i rregullatorit të vaksinës në vend, Klaus Cichutek, tha se vaksina e Johnson & Johnson është e siguritë dhe efektive, ndërkohë që efektet anësore janë të rralla. Sipas tij, paneli i ekspertëve të vaksinimit në Gjermani, nuk ka vendosur ndonjë barrierë në përdorimin e vaksinës së J&J.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.